PD sjell formule te re per KQZ |Lajme-News

2020-06-18 0

Opozita ka hequr dorë nga procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të tre nivelet nga Avokati i Popullit, duke ia rikthyer atë parlamentit.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, propozimi i ri i sjellë për diskutim në tryezën e Këshillit Politik që do të mblidhet në orën 17:00 të pasdites mbështetet në tre shtylla, duke reflektuar marrëveshjen e dakordësuar në 5 Qershor, si dhe formulën e certifikuar nga Komisioni i Venecias për Reformën në Drejtësi.

Por si do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve, të cilët aplikojnë në Kuvend për të qenë pjesë e organeve të reja të KQZ-së?

Brenda 5 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Kryetari i Kuvendit ngre një Komision për vlerësimin e përmbushjes së kritereve nga kandidatët, me 3 anëtarë, ku 2 i përkasin partive më të mëdha të shumicës dhe 1 anëtar nga partia më e madhe e pakicës, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse. Propozohet që anëtarët e këtij komisioni të jenë me profesion jurist, me eksperiencë pune jo më pak se 5 vjet.

Do të jetë më pas një tjetër Komision Ad-Hoc po me përbërje politike, me pesë anëtarë, ku tre do t?i takojnë shumicës e 2 opozitës, sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse që do të vendosin pas seancave dëgjimore kandidatët që plotësojnë kriteret me të paktën 4 vota.

Për komisionerin, nga lista e kandidatëve që kanë aplikuar, zgjidhen me shumicë votash katër kandidatët më të mirë, të cilët më pas i kalohen dy anëtarëve të pakicës, ku secili prej tyre ka të drejtë të përjashtojë nga një kandidat. Me shumicë votash, njëri nga dy kandidatët e mbetur në garë propozohet nga Komisioni Ad- Hoc i përzgjedhjes si komisioner.

Ndërsa për zv/komisionerin që i është lënë opozitës, dy përfaqësuesit e pakicës përzgjedhin secili nga një kandidat në garë. Dhe mes tyre përzgjidhet ai që ka marrë shumicën e votave në Komisionin Ad-Hoc.

Nga lista e kandidateve që kanë aplikuar për Komisionin Rregullator dhe atë të Apelimit e Sanksioneve, secili nga anëtarët e Komisionit Ad-Hoc ka të drejtën të zgjedh një anëtar.

Lista finale e kandidatëve i përcillet kryetarit të Kuvendit,i cili brenda dy ditëve ia dërgon Komisionit të Ligjeve që bën verifikimin e kandidatëve, për ta dërguar në seancë bashkë me raportin. Lista e kandidatëve duhet të miratohet në bllok brenda 10 ditëve. E në rast mos miratimi, ajo i kthehet sërish komisionit Ad-Hoc për të vijuar me procedurën për një listë të dytë.

Ndryshe nga maxhoranca, opozita propozon gjithashtu edhe uljen e kohëzgjatjes së mandateve të anëtarëve të KQZ-së. Propozimi i ri parashikon që Komisioneri dhe Zëvendëskomisioneri të kenë mandat 4-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë; ndërsa anëtarët e KAS të kenë mandat 6 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë.

Sipas opozitës, ky draftsynon ruajtjen e pavarësisë dhe profesionalizmit të KQZ së re, si dhe garancitë e palëve politike që përzgjedhja të mos jetë e njëanshme, por e balancuar dhe konsensuale.

Tv Klan
SUBS...